Vendoset gurthemeli i çerdhes në fshatin Godanc
Me rastin e vendosjes së këtij gurthemeli ishte i pranishëm kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetarin e komunës së Shtimes, Qemajl Aliu me bashkëpunëtorë si dhe banorë të fshatit Godanc.
Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu i gëzuar për këtë projekt tha se shumë shpejt do të ndërtohet ky objekt, dhe në muajin shtator të vitit të ardhshëm fëmijët do të kenë mundësi të fillojnë mësimin në këtë çerdhe moderne.
Ndërkaq, qytetarët e fshatit Godanc kanë falënderuar Komunën e Shtimes dhe Ministrinë e Arsimit për ndërtimin e kësaj çerdheje shumë të nevojshme për banorët, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme për plotësimin e kërkesave të ndryshme infrastrukturore.
Ky projekt i MASHTI-it ka vlerën e përgjithshme 414.643.49 €, kurse sipërfaqja e përgjithshme e objektit do të jetë 756 metra katrorë. Çerdhja në fjalë, do të ketë pesë klasa për fëmijë të grup-moshave 9 muaj deri 5 vjeç, kuzhinën, banjot, zyrën e takimeve, zyrën e mjekut e infermieres, holl të gjerë për aktivitete, lavanderi, depo, terasat, ashensorë etj. Me këtë projekt janë paraparë 72 shtretër për të gjitha grup-moshat e fëmijëve.