Votohet buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Shtimja, mbi 9.9 milionë euro
Gjatë mbledhjes së sotme pikë e vetme e rendit të ditës ishte: Miratimi i Planit Buxhetor Komunal 2024-2026 (pas diskutimit publik).
Fillimisht, këshilltari i ri, Artan Lubovci ka dhënë betimin në këtë mbledhje, kurse më pas është diskutuar për Draft-Planin e Buxhetor Komunal 2024-2026, të cilin e prezantoi u.d. Zyrtari Kryesor Financiar, Bujar Ferati duke theksuar rritjen e konsiderueshme të buxhetit për 1,172.066 euro në vitin e ardhshëm, duke u fokusuar dhe prioritetizuar fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, zhvillimit ekonomik dhe projekteve për zhvillim infrastrukturor.
Në vazhdim fjalën e mori kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, i cili tha se buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2024 është 9,928,106 euro, ndërsa nga kjo shumë nga aspekti ekonomik i shpenzimeve do të ketë 5 kategori kryesore të shpenzimeve. Nëse e bëjmë një krahasim me vitin aktual, buxheti për vitin 2024 do të këtë një rritje prej 1,172.066 euro, bëri të ditur kryetari Aliu.
Gjatë seancës, kryetari ka dhënë shpjegime për rritjen në secilën kategori të buxhetit gjithashtu iu përgjigj edhe pyetjeve nga anëtarët e asamblesë, ku pas diskutimeve të anëtarëve, me vënien në votim nga anëtari i Kuvendit që kryesonte mbledhjen, Hasan Avdyli, u miratua buxheti komunal me 11 vota për, 8 kundër dhe një abstenim.