Ceremonia e binjakëzimit të Skenderajt dhe Vukovarit
Mikut kroat i është organizuar një pritje e ngrohtë me rastin e vizitës së tij në Skenderaj, që shoqërohet nga kabineti i tij dhe bashkëpunëtorë shqiptar që jetojnë dhe veprojnë në Kroaci.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, janë shkëmbyer dhuratat, me ç'rast kryetari Nura i ka dhuruar flamurin zyrtar të Komunës dhe figurën e kryekomandantit Adem Jashari, derisa kryebashkiaku Penava ka dhuruar flamurin zyrtar të Vukovarit dhe simbolin e qytetit, Kulla që i kishte mbijetuar sulmeve me mbi mijëra predha dhe të shtëna armësh, gjatë luftës në Kroaci.
Edhe nënkryetari, Gjenerali Sami Lushtaku i ka dhuruar kryetarit Penava stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe flamuj për mysafirët tjerë miq. Dhurata kanë shkëmbyer edhe drejtorët e Komunës së Skenderajt, për pjesën tjetër të delegacionit kroat.
Delegacioni nga Vukovari nisi dje vizitën dy ditore zyrtare në Skenderaj, ku janë paraparë aktivitete të ndryshme dhe vizita përkujtimore në komplekset e dëshmorëve.