Kryetari Nura mban takimin e parë publik me qytetarë
Duke i falënderuar për pjesëmarrje qytetarët e pranishëm, kryetari Nura tha se Komuna ka bërë punë të mëdha në të gjitha fushat e përgjegjësisë së saj, duke realizuar projekte infrastrukturore, në rrjetin e kanalizimit, ujësjellës, shërbime publike, gjelbërim, bujqësi, në kulturë, sport e rini, me gjithë vështirësitë që e kanë përcjellë komunën siç ishin vërshimet e 19 janarit.
Në këtë pikë, kreu i Komunës bëri të ditur dëmin e shkaktuar nga përmbytjet që kapin shifrat mbi 12 milionë euro, megjithatë është vazhduar me angazhim të punohet në realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve. Megjithëkëtë, disa projekte nuk kanë filluar ende, për shkak se prioritet i është dhënë trajtimit të shtratit të lumit Klina, për të evituar rrezikun nga përmbytjet eventuale.
Por, kryetari Nuri ka siguruar se të gjitha planifikimet që ka bërë Komuna, do të realizohen dhe se do të ketë projekte në të gjitha fshatrat dhe bashkësitë lokale, përfshirë qytetin.
Sa i përket transparencës së Komunës së Skenderajt, kryetari përmendi vlerësimin e KDI-së, që e nxori Skenderajn në vendin e parë në gjithë Kosovën për transparencë.
Projektet më madhore që do të fillojnë brenda pak ditësh janë subqendrat, premtime këto të Qeverisjes Nura.
Qytetarët nga ana e tyre, me gjithë vlerësimet pozitive për qeverisje, kanë parashtruar kërkesa për investime në zonat e tyre të banimit, si në ndërtim të trotuareve, ndriçim publik dhe kanalizim.
Kryetari Nura ka premtuar se të gjitha kërkesat e qytetarëve, si ato që janë paraqitur gjatë takimit me publikun, sikurse të tjerat që parashtrohen nëpërmjet drejtorive përkatëse, do të trajtohen me kujdes dhe do të realizohen një pas një.