Me aktivitete të shumta shënohet 28 Nëntori në Skenderaj
Në nderim të kësaj dite të bekuar për popullin shqiptar, në orët e mëngjesit është ngritur flamuri ynë kombëtar te Sahat Kulla, në praninë e kryetarit të Komunës, Fadil Nura, nënkryetarit Sami Lushtaku, drejtorët komunalë, asamblistë, ish-komandantë të UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, udhëheqës të institucioneve publike dhe qytetarë.
Në mënyrë të organizuar, delegacioni ka bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, më pas edhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë.
Po sot, në fshatin Llaushë, është bërë zbulimi i pllakave përkujtimore në dy objekte, prona të Haxhi Gecit e Islam Lanit, që kanë shërbyer gjatë luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, në të cilat trimat e UÇK-së janë përgatitur dhe kanë kryer aktivitet luftarak çlirimtar.
Në kuadër të festave të nëntorit, është zhvilluar edhe aktiviteti fizik “Vrapimi i Nëntorit” 28 kilometra, ku janë ndarë edhe çmimet dhe mirënjohjet për vrapuesit më të shpejtë.
Gëzuar të gjithë shqiptarëve 28 Nëntori!