Drenasi përfiton dy projekte për ndërtimin e palestrave sportive në shkolla
Në ambientet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), drejtori i Drejtorisë Komunale për Arsim (DKA) në Drenas sot u njoftua me procedurat për fillimin e punimeve për ndërtimin e palestrës sportive të financuar nga MAShT në vlerë prej 260,000€ në ShFMU “Abedin Bujupi” në Arllat.
Përkundër insistimit të DKA-së që prioritet t’i jepet ndërtimit të palestrës sportive në ShML “Gj.K. Skënderbeu” në Drenas, ky prioritet nuk u respektua nga MAShT.
Paraprakisht, MAShT kishte vendosur dhe tashmë ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e palestrës sportive në ShFMU “Abedin Bujupi” në Arllat për këtë vit, ndërsa për vitin 2020 pritet të bëhet ndërtimi i palestrës në ShML “Gj.K. Skënderbeu” në Drenas në vlerë prej 300,000€. /InfoKomuna/