Fillon ndërtimi i sallës së re të edukatës fizike në Shkollën fillore "Emin Duraku"

ShtimePostuar: 16:00 / 24.09.2018

Nxënësit dhe punëtorët e shkollës fillore " Emin Duraku ” në Shtime, i janë gëzuar sot fillimit të punimeve për ndërtimin e sallës së edukatës fizike në oborrin e shkollës, pra afër stacionit Policor.


Në vënien e gurthemelit për ndërtimin e sallës së re, mori pjesë drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, z. Mensur Neziri, i cili e cilësoi shumë të rëndësishëm për nxënësit dhe gjithë qytetarët, ndërtimin e këtyre hapësirave moderne.


“Sot në shkollën fillore po fillojmë ndërtimin e një salle të edukatës fizike e cila do të jetë pjesë integruese e kësaj shkolle që kemi planifikuar të lidhet me një hyrje shtesë dhe me një korridor të veçantë me shkollën. Në këtë mënyrë po mundohemi të krijojmë kushte sa më të mira për nxënësit, por ka mundësi që të organizohen edhe lojëra të shumta këtu. Kështu shpresojmë që do të stimulohen edhe talentet rinj në fusha të ndryshme sportive, por edhe të krijohen hapësira për aktivitete kulturore e të natyrave tjera. Ky projekt vjen si rezultat i angazhimit të kryetarit të Komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, përveç këtij projekti që po fillon sot, projekte të reja do të fillojnë me furnizim edhe për sallat e tjera të edukatës fizike, i uroj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit për mjete moderne dhe nxënësit do ta kenë kushte më të mira".


Drejtoresha e shkollës fillore "Emin Duraku", znj. Jasmina Xhakli- Hysaj ka thënë se ne po mirëpresim këtë projekt madhor në interes të nxënësve dhe arsimtarëve të shkollës.


Projekti i ndërtimit të sallës së edukatës fizike është projekt nga MASHT dhe Komuna e Shtimes i cili do të kushtojë mbi 274 mijë euro.

/InfoKomuna/