Filluan punimet e renovimit të Palestrës së Sporteve në Shtime
Kanë filluar punimet për renovimin në Palestrën e Sportit në qytetin e Shtimes, ku përmes këtij investimi synohet t’u ofrohen kushte moderne për sportistët e kësaj komune.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu, së bashku me Drejtorin e Administratës në Komunën e Shtimes, Valon Januzi dhe drejtoreshën për Kulturë, Rini e Sport, Albana Fazliu, inspektuan nga afër këto punime.
“Është kënaqësi të jemi dëshmitarë të punimeve cilësore në fazën finale, ku së shpejti do të përfundojnë tërësisht. Këto punime janë hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Shtime për të gjithë sportistët tanë. Palestra do të ofrojë kushte moderne dhe të përshtatshme në mbështetje të zhvillimit të sportit dhe aktiviteteve fizike për të gjithë shfrytëzuesit e saj. Do të vazhdojmë me punë e projekte të mëdha në dobi të qytetarëve”, tha Aliu.
Ky projekt përfshin rregullimin e kulmit, ndriçimin, renovimin e zyrave dhe zhveshtoreve me vlerë të investimit mbi 400 mijë euro.