Filluan punimet për vazhdimin e Stadiumit të Qytetit të Gjakovës
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka njoftuar se kanë filluar sot punimet për vazhdimin e Stadiumit të Qytetit në Gjakovë.
Njoftimi i plotë i kryetarit Gjini:
Sot, është një ditë shumë e veçantë!
Kjo, sepse edhe zyrtarisht filluan punimet për vazhdimin e Stadiumit të Qytetit nga dy kompani serioze, konkretisht tribuna lindje dhe jug si dhe pjesa e fushës e cila do të shndërrohet në tërësi.
Më entuziazmon fakti që ky projekt madhor, do t’iu shërbejë shumë gjeneratave ndër vite, duke qenë një tempull i sportit dhe kulturës.
Për këto faza që i nisëm sot, Komuna e Gjakovës do të investojë rreth 2.5 milionë euro. Shpresojmë që pjesa e projektit, e nisur nga Ministria do të vazhdojë, në mënyrë që konstrukti të jetë i përfunduar e më pas të vazhdojë pjesa e mbulojës, ndriçimit dhe të gjitha pjesët që i takojnë një stadiumi të mirëfilltë.
Stadiumi i Qytetit të Gjakovës, do të jetë aset i rëndësishëm për Gjakovën, por edhe gjithë Kosovën dhe kjo më bën jashtëzakonisht të lumtur dhe krenar.