Finalja e Kupës së Kosovës në basketboll do të mbahet në Mitrovicë
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtori i DKRS-së, Fidan Ademi, kanë biseduar me kryetarin e Klubit Basketbollistik Trepça, Shaban Miftari dhe sekretarin Kemal Muja, për gjendjen aktuale dhe mundësitë e mbështetjes të këtij klubi të njohur sportiv në tërë vendin e më gjerë.
Kryetari i Klubit Basketbollistik Trepça, Shaban Miftari , i njoftoj drejtuesit e komunës për kushtet në të cilat punon klubi që ai e drejton dhe problemet aktuale që e përcjellin punën e klubit.
Ai tha se edhe në kushtet aktuale në të cilat klubi e zhvillon veprimtarinë e vet sportive, që gjithsesi mund të jenë edhe më të mira, drejtuesit dhe basketbollistët po bëjnë përpjekje maksimale që të konsolidohen dhe tia kthejnë namin që klubi kishte dikur.
Miftari në vazhdim tha se duke pas parasysh bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që klubi ka me komunën dhe në veçanti me kryetarin Bahtiri, kësaj radhe kanë ardhur me kërkesë për të mbështetur organizimin e gjysmëfinales dhe finales të Kupës së Kosovës në basketboll, pasi Federata e Basketbollit e Kosovës, ia ka besuar organizimin e këtij aktiviteti klubit mitrovicas, që do të mbahet më 17, 18 dhe 19 shkurt të këtij viti.
Pa mbështetjen tuaj, nuk do të mund të ia dalim të organizojmë këtë garë të rëndësishme basketbollistike. Ne e kuptojmë edhe gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet komuna, por besojmë se ashtu sikur edhe herëve të tjera që na keni mbështet fuqishëm në të gjitha rastet, edhe kësaj here do të gjeni mundësi për të na mbështetur, ja tha drejtuesve komunal Miftari.
Kryetari Bahtiri, pasi dëgjoi kërkesën e drejtuesve të KB Trepça, tha se edhe përkundër vështirësive të mëdha buxhetore që ka komuna, do të shikoj mundësitë e mbështetjes për organizmin e kësaj gare.
Ndoshta nuk do të mund të ju mbështesim aq sa ju keni nevojë, por sigurisht se disa nga kërkesat tuaja do ti mbështesim. Për të tjerat do të shikojmë bashkërisht se si dhe ku mund të gjejmë përkrahje. Ju e meriton përkrahjen e komunës, e cila nuk ju ka munguar në të kaluarën dhe nuk do të ju mungoj as në të ardhmen, tha ai.
Kryetari Bahtiri në vazhdim i njoftoi drejtuesit e KB Trepça, edhe për mundësitë konkrete që komuna mund ti mbështes në të ardhmen, pas funksionalizimit të qendrës biznesore, me çrast do të krijohen kushte më të mira për mbështetje të basketbollit dhe sporteve tjera në komunën e Mitrovicës.
Edhe nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, ju uroj sukses në organizimin e aktivitetit dhe ju premtoj ndihmën brenda mundësive që ka komuna në të ardhmen./InfoKomuna/