Iniciativë konkrete për sportin e futbollit të Hanit të Elezit
Kryetari i komunës Rufki Suma, priti në takim të rinjtë Besar Luri dhe Bunjamin Bushi të cilët para kryetarit shpalosën planin e tyre për të ngjallur aktivitetet sportive në komunën e Hanit të Elezit.
Ata e njoftuan kryetarin Suma se kanë filluar përgatitjet për të aktivizuar klubin futbollistik Sharri në nivel të grup moshave të reje. Sipas tyre, për të realizuar këtë qëllim ata kanë nevojë për përkrahjen e komunës së Hanit të Elezit në mënyrë që të plotësohen aspektet teknike, administrative dhe financiare për regjistrimin e klubit në nivel të vendit në përputhje me rregulloret e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Duke ju përgjigjur kësaj kërkese të këtyre të rinjve, kryetari i komunës Rufki Suma tha se si institucion Komuna e Hanit të Elezit, por edhe vet personalisht shumë herë dhe në shumë raste kemi bërë apel te të gjithë ata dashamirë të sportit se do ti përkrahim sa i përket çështjeve të mbulimit të shpenzimeve për regjistrimin e klubeve të cilit do sport. Mirëpo komuna e Hanit të Elezit nuk mundë të mbulojë shpenzimet për financimin afatgjatë të klubeve për shkak të kufizimeve buxhetore tha z.Suma.
Ai i uroj të rinjtë për këtë iniciativë duke e deklaruar përkrahjen e komunës për këta sportista sidomos për faktin se do të angazhohen grupmosha të reja që mundë një ditë të jenë bazë për themelimin e një klubi që do të garojë në nivele të larta.
Sipas Besar Lurit, qëllim i kësaj iniciative është grumbullimi i të rinjve të grupmoshave të reja, fillimi i punës aktive dhe në ndërkohë zhvillimin e procedurave administrative për regjistrimin e klubit në mënyrë që Klubi futbollistik Sharri për grupmoshat e reja të filloj garat me fillimin e sezonit të ri garues në vjeshtën e vitit 2017. /InfoKomuna/