Këtë vit 61 mijë euro subvencione në sport nga Komuna e Shtimes
Në kuadër të angazhimit ndaj zhvillimit të sportit lokal, Komuna e Shtimes ka nënshkruar dhe dorëzuar marrëveshjet e subvencionimit me përfaqësuesit e klubeve sportive të kësaj komune.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, bëri të ditur se subvencionet vetëm për sport kapin vlerën e 61 mijë euro.
“Këto marrëveshje nga përfituesit e subvencioneve theksojnë përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur rritjen dhe suksesin e sportit lokal, ku nga 33,500 euro për Kulturë, Rini dhe Sport, tanimë subvencionet vetëm për sport i kemi rritur në 61,000 euro.
Ne jemi inkurajues dhe duam të jemi edhe hisedarë me projektet tona të ardhshme në sukseset e klubeve tona me bashkërendim të nismave për ta avancuar, promovuar dhe përmirësuar ambientin dhe infrastrukturën sportive në Komunën e Shtimes”, ka thënë Aliu.
Ndërsa, Albana Fazliu, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport tha se sukseset që sjellin klubet e komunës sonë, janë motivim, që mbështetja për këto klube mos të mungojë asnjëherë.