Përurohet Qendra Rinore në Pejë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në përurimin e ndërtimit të Qendrës Rinore në Pejë, së bashku me kryetarin e kësaj komune Gazmend Muhaxherin.
Gashi dhe Muhaxheri zhvilluan një takim në komunë, para përurimit. Aty ata folën për planifikime dhe investime tutje sa i përket kompleksit për sportin e Xhudos, që i ka sjellë Kosovës medalje të arta olimpike.
“Sot do ta përurojmë Qendrën e Rinisë që është investim i MKRS-së dhe besoj se do të shërbejë për gjithë rininë e Pejës, sepse do ta kenë një shtëpi ku do të mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme rinore. Po ashtu një shqetësim i këtij viti ka qenë objekti i xhudos, kompleksi sportiv i xhudos, i cili po ashtu është i planifikuar nga MKRS. U ballafaquam me një problem administrativ me Ministrinë e Ambientit dhe besoj se kemi ardhur deri te një zgjidhje”, tha ministri.
“Ministrin e falënderuam për gjitha investimet në Pejë dhe u dakorduam për mundësitë e zhvillimeve të ardhshme. Çka ka mbetur pa realizuar është ndërtimi i Qendrës Nacionale të xhudos. Besoj se deri në fund të muajit do të gjendet zgjidhja”, ka thënë Muhaxheri.
Ministri Gashi, ndër tjerash ka thënë se do të kenë investime sa i përket rinisë edhe në qytetet tjera në Kosovë.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka qenë investuese e këtij projekti dhe jemi duke planifikuar edhe disa investime në komuna të tjera. E kemi përfunduar projektin në Vushtrri, jemi duke investuar në komunën e Ferizajt dhe shumë shpejtë do të fillojmë me tri qendra të tjera rinore në qytete të ndryshme në mënyrë që të rinjtë e Kosovës të kenë kushte, mundësi e hapësira të reja në shërbim të aktiviteteve rinore, sepse siç dihet pjesa më vitale e shoqërisë janë të rinjtë”, ka thënë ministri Gashi.
Pas përurimit ministri bashkë me kryetarin vizituan punimet në stadiumin e qytetit Shahin Haxhislami.