Trepça ’89-Liria e hap javën e gjashtë, kryendeshja nesër

MitrovicëPostuar: 13:44 / 23.09.2016

Elita e futbollit të Kosovës, kthehet sot pasdite me përballjën ndërmjet Trepçës ’89-Liria, takim ky që luhet në ‘Riza Lushta’ të Mitrovicës.

‘Xehetarët’ dhe prizrenasit hapin javën e gjashtë të Vala Superligës së Kosovës në futboll. Trepça’89 vjen në këtë ndeshje pas fitores së vështirë në udhëtim kundër Ferizajt (1:0) dhe aktualisht ka vetëm një pikë më pak se Prishtina. Sigurisht se qëllimi i skuadrës mitrovicase do të jetë arkëtimi i tre pikëve të reja, në mënyrë që ta vazhdojnë serinë pozitive në këtë fillim edicioni. Në anën tjetër, Liria vjen në këtë ballafaqim pas humbjes në Merdar kundër Llapit.

Ndërkaq, kryendeshja e kësaj fundjave luhet nesër pasdite në ‘Rexhep Rexhepi’ te Drenasit, mes Feronikelit dhe Prishtinës. Ballafaqimi mes kampionëve në fuqi dhe prishtinasve, pritet të japë një lojë mjaft të fortë pasi takohen dy skuadrat kryesore në garën për titull të kampionit.

Skuadra e Afrim Tovërlanit kërkon hakmarrje kundër prishtinasve për disfatën e pësuar në Superkupë, derisa edhe Prishtina me trajner të ri në Drenas udhëton me ambicie që ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive.

Ndërkaq, të dielën janë në program të luhen edhe tri ndeshjet e kësaj xhiro, ku priten sfida joshëse.

Vala Superliga
E premte

Trepça ‘89 – Liria                                 


E shtunë

Feronikeli – Prishtina                           


Hajvalia – Llapi


E diel

Besa – Drita                                       

Gjilani – Trepça

Ferizaj – Drenica

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00.