Komuna e Vitisë vazhdon implementimin e marrëveshjes me komunën e Kllokotit
Senad Rama, kryeshef ekzekutiv i Kompanisë ”Eco Higjiena”, si dhe Haxhi Qerimi udhëheqës i Njësisë së kësaj kompanie në Viti, u pritën nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti.
Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komunës së Kllokotit, me që rast u diskutua për modalitetet dhe hartimin e marrëveshjes mes komunës së Kllokotit dhe Kompanisë Eco Higjiena.
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë “Eco Higjiena” Senad Rama, tha se komuna e Kllokotit ka qenë deri më tani jashtë menaxhimit të mbeturinave nga kjo kompani. Ai, theksoi se janë të interesuar të kenë një bashkëpunim me komunën e Kllokotit, ndërkohë që vlerësoi lartë bashkëpunimin me komunën e Vitisë të cilën edhe e quajti si liderë sa i përket bashkëpunimit.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehi gatishmërinë për të mbështetur në të gjitha format komunën e Kllokotit sa i përket menaxhimit të mbeturinave dhe tha se jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo përkrahje që u nevojitet në këtë aspekt, duke përmendur se në vazhdimësi kanë ndihmuar këtë komunë në shumë sfera.
Përfaqësuesit e komunës së Kllokotit, u shprehën falënderues Institucioneve komunale të Vitisë për përkrahjen e vazhdueshme që po u japin atyre në shumë fusha, ndërkohë që mirëpritën iniciativën për menaxhimin e mbeturinave në këtë komunë.