Vitia po shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me aktivitete të ndryshme
Por, fillimisht është mbajtur një seancë solemne kushtuar kësaj ngjarje të rëndësishme historike. Në këtë seancë solemne nga një fjalë rasti e kanë mbajtur kryesuesi i kuvendit komunal, Bekim Azizi, zv.kryetari i komunës, Hasan Aliu dhe përfaqësuesit e të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhevgjet Ademi.
Bekim Azizi, kryesues i kuvendit komunal të Vitisë, fillimisht kërkoj nga të pranishmit që për nderë të kësaj date historike dhe sakrificës së popullit dhe të dëshmorëve për liri të mbahet një minutë heshtje. Ai gjithashtu foli mbi rëndësinë e kësaj date duke përmendur rezistencën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës duke thënë se kjo ngjarje kujton kohën kur një familja si ajo e Jasharëve bënë rezistence 3 ditore kundër një ushtrie të armatosur rëndë.
Kryesuesi Azizi gjithashtu përmendi edhe sakrificën që është bërë nga kjo familje kundër ushtrisë dhe policisë së atëhershme serbe dhe flijimin e tyre për idealin e Kosovës së pavarur. Ai shtoj se kjo rezistencë e familjes Jashari ishte motiv që të rijnë dhe të reja të ju bashkohen UÇK-së për çlirimin e vendit nga okupatori i atëhershëm por duke mos harruar edhe ndihmën e shteteve mike të Kosovës në veçanti të NATO-së.
Kurse zv.kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu gjithashtu foli për këtë datë historike “Sot, me krenari kujtojmë Ditët e Epopesë së UÇK-së: 5, 6 dhe 7 marsin e 1998 – ës dhe luftën e Komandantit legjendar Adem Jasharit. Me krenari kujtojmë sakrificën e madhe të Jasharëve legjendarë, ku nga kjo betejë mbetën me dhjetra familjarë të ngushtë të Adem Jashari” , u shpreh zv. kryetari Aliu. Ai tha se Institucionet komunale, do të vazhdojnë të jemi të përkushtuar për mirëqenien e qytetarëve vitias, të ofrojmë shërbime sa më cilësore shëndetësore e administrative, kushte sa më të favorshme për mësim cilësor e kualitativ dhe përkushtim në të gjitha sferat e jetës.
Xhevgjet Ademi, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmoreve ” në Viti, tha se për të është nderë dhe privilegj të i përshëndes në 26 vjetorin e kësaj ngjarje duke shprehur lavdinë për familjen e Jashari dhe të gjithë atyre të rënë për lirinë e Kosovës.
Gjithashtu nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti nesër do të zhvillohen disa aktivitete sportive në bashkëpunim me Shoqatën e Pedagogëve Sportiv kurse të enjten hapët edhe një ekspozitë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.