Asociacioni i Komunave dhe Swisscontact nënshkruan marrëveshje me dy komuna për zhvillimin e turizmit

Postuar: 10:43 / 17.04.2024

Në përputhje me objektivat e Projektit të SWISSCONTACT-it / Promovimi i punësimit në sektorin privat (PPSE) për fuqizimin e turizmit të qëndrueshëm në Komunat e Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit me Komunën e Fushë-Kosovës dhe Lipjanit për identifikimin e potencialit të zhvillimit të turizmit në Majën e Goleshit.

Ky bashkëpunim synon të ngrisë kapacitetet lokale për zhvillimin e produkteve turistike dhe fuqizimin e ekonomisë lokale në zonën që përshkohet brenda territoreve të dy komunave pjesëmarrëse.

Këto komuna në bashkëpunim me Projektin PPSE, e që mbështetet nga Agjencioni Zhvillimor Zvicerian (SDC), janë zotuar për veprimet e tyre të përbashkëta për fuqizimin e turizmit të qëndrueshëm në Majën e Goleshit dhe zbatimin e strategjive për zhvillimin e projekteve turistike në këtë zonë.

Përmes këtij memorandumit, palët janë pajtuar për bashkëpunim në vlerësimin e territorit me potencial për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, duke siguruar informacione të nevojshme dhe koordinuar përpjekjet për të arritur qëllimet e përbashkëta të zhvillimit të turizmit në Majën e Goleshit.