Hani i Elezit me buxhet mbi 2.7 milionë euro në vitin e ardhshëm

Hani i ElezitPostuar: 21:44 / 25.08.2017

Me qëllim të përfshirjes së qytetarëve të Komunës së Hanit të Elezit në procesin e konsultimit për hartimin e projekt-buxhetit për vitin 2018, si dhe vlerësimet buxhetore për vitet 2019-2020 janë mbajtur takime konsultative me banorët e fshatrave, lagjeve dhe vendbanimeve të komunës.

Banorëve pjesëmarrës në këto takime projeksionet buxhetore i prezentoi drejtori për Buxhet dhe Financa, Shabi Rexhallari, raporton InfoKomuna.

Sipas tij, buxheti për vitin 2017 është 2,406,534 euro, ndërsa për vitin 2018 do të jetë 2,716,063 euro që në krahasim me këtë vit do të jetë më i lartë për 310,063.00 apo 12.88%.

Ky buxhet është i ndarë sipas qarkoreve buxhetore të Ministrisë së Financave dhe sipas strukturës së shpenzimeve në investime kapitale, kapin shumën prej 1,001,590 euro për vitin 2018 ose 36.87% e buxhetit do të jetë i destinuar për investime kapitale.

Sipas këtyre projeksioneve, për vitet 2018-2020 buxheti për investime kapitale në komunën e Hanit të Elezit do të jetë 3.153.335 euro.

Ndërsa nga banorët u pranuan shumë propozime, kryesisht të natyrës së infrastrukturës për të cilat do të vendosë Kuvendi i Komunës. /InfoKomuna/