Komuna e vendosur në rregullimin e varrezave në fshatin Balaj

FerizajPostuar: 11:59 / 07.09.2017

Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është i vendosur se punimet në rregullimin e varrezave në fshatin Balaj, do të përfundojnë brenda pak ditëve.

Kështu bëri të ditur në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të mbajtur gjatë ditës së sotme, transmeton InfoKomuna.

Kryetari Svarqa, tha se në fshatin Balaj po zbatohet vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe i Kuvendit të Komunës, që në atë vend të jenë varrezat e qytetit të Ferizajt, ndërsa varrezat do të jenë për të gjithë konfesionet fetare si myslimane, katolike, protestante, por edhe për ateistët. U tha po ashtu se tashmë është edhe projekti ideor për rregullimin e këtyre varrezave.

Numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, u shpreh se varrezat e reja në asnjë mënyrë nuk i pengojnë banorët e fshatit Balaj, sepse është larg vendbanimeve të tyre, por kjo po bëhet me qëllime të ndryshme politike dhe në kohë fushate.

E nga ana tjetër edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Ferizaj, Qazim Reka, u shpreh vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i respekton edhe policia e Ferizajt.

Ai tha se policia do të qëndroj aty deri sa të përfundojnë të gjitha punimet në rregullimin e varrezave.

Përkrahje këtij vendimi i dhanë edhe krerët e bashkësive fetare në Ferizajt, me ç’rast kanë theksuar nevojën urgjente për rregullimin e këtyre varrezave, sepse ne vendet ku aktualisht gjenden varrezat në Ferizaj, nuk ka hapësire të mjaftueshme.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për fillimin e vitit të ri shkollor, ku u tha se këtë vit në Ferizaj, procesi mësimor zhvillohet në dy ndërrime.

Në kuadër të planeve strategjike të arsimit në komunën e Ferizajt, u tha se do të hapet edhe shkolla e mesme e edukatës fizike, pas asaj të artit figurativ. U diskutua edhe për çështjen e sigurisë në komunën u Ferizajt, ku u vlerësua e qetë dhe pa asnjë problem. /InfoKomuna/