Hapet Qendra Frankofone në Pejë

PejëPostuar: 15:01 / 09.03.2020

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka pritur në takim ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.

Kryetari Muhaxheri e falënderoi ambasadoren Butel për vizitën, duke thënë se "jemi shumë të nderuar me vizitën tuaj dhe me hapjen e Qendrës Frankofone në Pejë"

Gjatë takimit u bisedua rreth përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Pejës dhe Ambasadës së Francës në Kosovë.  Po ashtu, e njoftoi ambasadoren për të arriturat, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Pejës, duke theksuar interesimin për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit.

Ambasadorja Butel theksoi se sot është një rast i mirë se do të bëjnë hapjen e Qendrës Frankofone në Pejë.

"Faleminderit shumë për mbështetjen që jeni duke i dhënë gjuhës frënge, sepse ka klasa në Komunën e Pejës, të cilat mësojnë gjuhën frënge, pra sot do të bëjmë hapjen e qendrës, e cila do të jetë pikëtakimi i frankofonëve në Komunën e Pejës".

"Gjithashtu ne e përzgjedhim Pejën, si një pikë për takimin e të rinjve, të cilët e mësojnë gjuhën frënge. Po ashtu, me Pejën na lidh edhe festivali 'Anibar', faleminderit që na e keni dhënë mundësinë, që në këtë qytet të bukur të zhvillojmë projekte të rëndësishme së bashku", u shpreh ajo.

Kryetari Muhaxheri dhe ambasadorja Butel kanë bërë hapjen e Qendrës Frankofone në Pejë, në hapësirat e kinemasë "Jusuf Gërvalla" në bashkëpunim me Anibarin. /InfoKomuna/