Lejet e ndërtimit në Rugovë, peng i Planit Hapësinor
Orientimi i Pejës për zhvillim ekonomik përmes turizmit, po bëhet pa asnjë plan konkret. Në fakt të gjitha objektet e ndërtuara në Rugovë janë ndërtime pa leje.
Ndërtimet e shtëpive, vilave, bujtinave, stallave, restoranteve dhe objekteve të tjera hoteliere vazhdojnë dhe askush dhe asnjë institucion nuk merret me to, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vitet e fundit janë shtuar edhe më tepër këto ndërtime dhe ndërtuesit janë duke e shfrytëzuar edhe vakuumin e krijuar në mungesë të Planit hapësinor për këto bjeshkë të përfshira në PK “Bjeshkët e Nemuna”, që është nën kompetencë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Në Rugovë po ndërtohet pa leje pasi askush nuk po i ndalon dhe nuk po merret me to”, thotë drejtori i Urbanizmit, Skënder Shala. Ndërtimet pa leje kohët e fundit po ndodhin edhe në pronat publike në disa pjesë të Rugovës. Këto ndërtime në përgjithësi në trevën e Rugovës nuk po mund t’i ndalojë as Drejtoria e Administrimit e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Kjo drejtori ndërtimet pa leje i ka ndaluar në Bjeshkët e Junikut dhe të Deçanit, në të cilat me një urdhëresë në muajin shtator ka ndaluar edhe bartjen e materialit ndërtimor në këto bjeshkë. Mirëpo, në Bjeshkët e Rugovës të njëjtën gjë nuk ka mundur ta bëjë kjo drejtori, jo pse nuk ka dashur por aktualisht i ka duart e lidhura për të vepruar, mu për shkak të mungesës së këtij plani hapësinor.