Lladrovci flet për ndërtimin e tramvajit dhe stadiumin nacional në Drenas

GllogocPostuar: 13:53 / 24.01.2019

Në Kosovë ende nuk ka tramvajë, por në Komunën e Drenasit po planifikohet të ndërtohet. Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci po planifikon që të lehtësojë komunikacionin në qytetin e Drenasit duke ndërtuar tramvajë.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se tramvaji është i lidhur me Stadiumin Nacional dhe se përmes tij po tenton që lehtësoj komunikacionin dhe të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Mirëpo, shton se kjo çështje është vënë vetëm në debat të brendshme, por që kanë interesim që kjo të bëhet sa më parë.

“Tramvaji është i lidhur me Stadiumin Nacional që është në fazën e studimit të fizibilitetit. Stadiumi nacional si aset kombëtar, sjell me vete edhe të mirat tjera, si stadiumet ndihmëse, fushat dhe hapësirat për sportet tjera, zhvillimin e hotelerisë, tregtisë dhe një mori shërbimesh që shkojnë bashkë me stadiumin. Edhe tramvaji, do të jetë një nga ato të mira që vijnë nga Stadiumi Nacional që ishte edhe pjesë e diskutimit të kësaj çështjeje me Kryetarin Kadri Veseli. Thelbësore është se kjo çështje është vu në debat të brendshëm dhe jemi duke e studiuar çështjen. Gjithsesi, interesimi ynë është që tramvaji të bëhet sa më parë, për të shkarkuar komunikacionin dhe sjell benefite tjera për cilësinë e jetës së qytetarëve në komunën tonë”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka shtuar se tramvaji bën lehtësimin e transportit nga Drenasit drejt stadiumit dhe tutje drejt aeroportit e Prishtinës.

Ndërsa, sa i përket buxhetit për këtë projekt, ai thotë se është ende në nivel të brendshëm.

“Buxheti dhe çështjet tjera, janë ashtu siç e thashë, në nivelin e debatit të brendshëm, me departamentet, ekspertët por edhe në nivelin qendror si me Kryetarin Veseli i cili është mbështetës pa rezervë i zhvillimit të Drenicës. Kjo çështje avancon dhe bën lehtësimin e transportit nga Drenasi drejt stadiumit dhe tutje drejt Aeroportit dhe Prishtinës, që përbën projekt më të madh se sa interesi vetëm i komunës tonë. Zhvillimi ynë drejt lehtësimit të qarkullimit është një nga çështjet që merr vëmendjen tonë të plotë, së pari autostrada Polluzhë-Komoran, Drenas-Kroi i Mbretit dhe rrugët tjera të nivelit të dytë e të tretë, duke u angazhuar për lehtësim maksimal për qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave në komunën tonë”, ka thënë tutje Lladrovci.

Sa i përket Stadiumit Nacional që do të ndërtohet në këtë komunë, Lladrovci thotë se presin që në gjysmën e parë të këtij viti të nis ndërtimi i saj.

Ai shton se Drenasi do të jetë mikpritës i fitoreve të përfaqësueses tonë dhe mikpritëse e yjeve të futbollit.

“Presim që në gjysmën e parë të këtij viti të fillojë ndërtimi i stadiumit nacional. Aktualisht është në fazën e studimit të fizibilitetit. Konsideroj se niveli qendror do t’i jap rëndësinë që e ka. Futbollistët por edhe sportistët tjerë, janë krenaria jonë, me stadium, shkëlqimi i talenteve tanë, do të jetë i mirëfilltë. Prandaj edhe për këtë ne jemi shumë krenar se Drenasi do të jetë mikpritës i fitoreve të përfaqësueses tonë dhe mikpritëse e yjeve të futbollit”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjën e tij.

Lladrovci ka theksuar se për tri vjet do të mbyllin çështjen e infrastrukturës, përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, Qendrën e gruas, Qendrën e Rinisë, Qendrën e re të biznesit për vendet e reja të punës si dhe punët e mbara dhe të vlefshme tjera, për qytetarët pa dallim./Indeksonline/