Mamusha insiston për lidhjen me autostradë

MamushëPostuar: 18:24 / 16.12.2015

Kryetari i Komunës së Mamushës, Arif Butuc, beson se ky lokalitet do të arrijë që të sigurojë lidhjen për në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Nisma e kësaj komune në këtë drejtim, që ishte përkrahur edhe nga kryetarët e fshatrave përreth, sipas Butucit, tashmë ka mbështetjen edhe të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Rruga që do të krijojë qasje për në autostradë është shumë e rëndësishme për popullatën e kësaj ane. 17 fshatra do të përfitojnë nga kjo rrugë, që do t’u shërbejë 35 mijë banorëve”, ka thënë Butuc.

Ai ka përkujtuar se në relacionin Prizren-Suharekë, segment ky që ka 22 kilometra në autostradë, nuk ka asnjë hyrje-dalje, derisa në pjesën Suharekë-Malishevë, sipas tij, ka kyçje në çdo 7 kilometra.

Muaj më parë Butuc me disa përfaqësues të fshatrave të kësaj ane patën shprehur qëndrimin që nga institucionet përkatëse të kërkohet lejimi i qasjes në autostradën “Ibrahim Rugova” pranë fshatit Novakë të Prizrenit. Kërkesa për marrjen e pëlqimit për këtë projekt infrastrukturor i është dërguar legjislativit dhe ekzekutivit të vendit, në mënyrë që edhe Komuna e Mamushës të lidhet me autostradë nëpërmjet Novakës. “Ne kërkojmë pëlqim për hapjen e rrugës Mamushë-autostradë, respektivisht lejimin e kyçjes. Kjo rrugë është e rëndësishme sepse krijon lehtësira për banorët e disa fshatrave, duke krijuar bashkëpunim mes komuniteteve, dhe do të jetë një arterie e rëndësishme për zhvillimin tonë ekonomik”, pati thënë Butuc. Këtë kërkesë e kanë nënshkruar përfaqësuesit e fshatrave Smaq, Zojz, Medvec, Reti, etj., ndërkohë që përkrahje kanë dhënë edhe liderë të fshatrave të tjera.

Qemal Krasniqi nga fshati Medvec, që njëherësh është edhe këshilltar nga radhët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, pati theksuar se qëllimi i kësaj nisme është mundësimi i kyçjes në autostradë të banorëve të kësaj ane. “Kemi mbajtur disa takime me përfaqësuesit e fshatrave dhe e kemi parë të arsyeshme që ta zgjerojmë diskutimin, në mënyrë që të dalim me një qëndrim të qartë, i cili duhet të shqyrtohet nga institucionet relevante”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërsa Spasa Andrijeviq, nga fshati Novakë, ka bërë të ditur se është e tepërt të flitet për rëndësinë e lidhjes në autostradë, meqë “rrugët bashkojnë njerëzit dhe interesat e tyre”.

Naim Kukaj nga fshati Gelancë pati shprehur bindjen se mobiliteti më i mirë në saje të lidhjes në autostradë do të kishte ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të kësaj ane. Mbështetje për propozimin e dhënë kanë ofruar edhe përfaqësues të fshatit Shpenadi dhe Velezhë, teksa kanë vlerësuar edhe komunikimin e kryetarit të Mamushës me ta.

Pas diskutimeve të zhvilluara kryetari Butuc ka theksuar se kërkesa bashkë me nënshkrimet e përfaqësuesve të fshatrave për mundësimin e lidhjes në autostradë pranë fshatit Novakë do t'i dërgohet kryeparlamentarit Kadri Veseli, deputetëve nga rajoni i Prizrenit dhe Ministrisë së Infrastrukturës. “Niveli qendror është në dijeni lidhur me propozimin tonë, por ne përsëri duhet të shtojmë përpjekjet që t'i bindin vendimmarrësit se ky projekt është i domosdoshëm për qytetarët e kësaj ane”, pati thënë Butuc.