Mbahet pjesa e parë e Maturës Shtetërore në Shtime

ShtimePostuar: 16:21 / 13.06.2019

Në Shtime të enjten është mbajtur Pjesa e Parë e Provimit të Maturës Shtetërore, ku nxënësit kësaj radhe sfiduan dijen e tyre vetëm në dy lëndë mësimore: Gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze.

Testi në fjalë, përmban 100 kërkesa (pyetje) të tipit të mbyllur, me katër alternativa, nga të cilat vetëm njëra është e saktë.

Në komunën e Shtimes, Testit Shtetëror të Maturës i janë nënshtruar gjithsej 536 maturantë. Provimi është mbajtur në tri qendra të testimit, në Gjimnazin “Naim Frashëri”, në SHMU “Emin Duraku” si dhe në Shkollën Profesionale në Shtime.

Ndërsa për mbarëvajtjen dhe administrimin e tij janë angazhuar administrues (mësimdhënës) nga komuna e Ferizajt.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli së bashku me drejtorin e DKA-së, Mensur Neziri vizituan disa nga qendrat për të parë nga afër ecurinë e Testit të Maturës Shtetërore, ku me këtë rast iu uruan administruesve punë të mbarë gjatë këtij procesi si dhe të gjithë nxënësve maturantë, shumë suksese!

Vlen të përmendet se Pjesa e Dytë e Maturës Shtetërore do të mbahet më 20 qershor 2019. Kësaj radhe, provimi do të mbahet në lëndën e matematikës dhe në një lëndë me zgjedhje nga vet nxënësit.

Lëndët me zgjedhje, nxënësit e gjimnazit dhe shkollës së mesme profesionale, kanë mundësi të zgjedhin njërën nga këto lëndë mësimore: Fizikë, Kimi, Biologji, Informatikë, Gjeografi, Histori, Sociologji, Psikologji, Ekonomi me ndërmarrësi, Edukatë qytetare, Histori e artit, Teori e muzikës dhe harmoni. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), do të bënë publikimin e rezultateve, më 28 qershor 2019. /InfoKomuna/