Ndeshja e kompetencave zvarrit punimet në Spitalin e Graçanicës

GraçanicëPostuar: 12:19 / 11.10.2016

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka konstatuar se zvarritja e punimeve në ndërtimin e spitalit të Graçanicës është bërë për shkak të përzierjes së kompetencave ndërmjet zyrtarëve komunalë.

Në opinionin që ka dhënë kjo Agjenci rreth këtij projekti, thuhet se Zyra e prokurimit nuk i ka kryer detyrat e veta rreth kontratës dhe punëve që janë bërë nga punëkryesi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërtimi i spitalit në Graçanicë kishte nisur në vitin 2012 dhe do të duhej të përfundonte brenda 4 vjetëve. Por, kjo nuk ka ndodhur.

“Pas shqyrtimit të lëndës dhe pas takimeve që janë zhvilluar me palët e involvuara në këtë proces, Agjencia konsideron se i mbetet obligim Autoritetit kontraktues Komunës së Graçanicës që të bëjë prerjen e obligimeve që ndërlidhen me këtë projekt dhe të njëjtat t’i paraqesë si obligime të cilat do të fillojnë të shlyhen në vitin fiskal 2017 dhe të vazhdohet me ekzekutimin e punëve aty ku kanë mbetur në mënyrë që të bëhet finalizimi i projektit në fjalë”.