Nis ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë

DeçanPostuar: 14:42 / 24.04.2018

Sot është bërë inaugurimi i fillimit të punimeve të rrugës Deçan-Plavë, rrugë kjo që e lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë.

Kryetari i komunës Bashkim Ramosaj, nënkryetari Sami Cacaj, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, zëvendësministra deputet, zyrtarë komunalë, qytetarë të shumtë sot ju gëzuan fillimit të punimeve në rrugën Deçan-Plavë, rrugë kjo e cila lidhë Deçanin më Malin e Zi konkretisht me rajonin e Plavës dhe Gucisë.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, vuri në pah rëndësinë dhe simbolikën që ka kjo rrugë për banorët e Dukagjinit dhe ata të Plavës e Gucisë.

"Kur flasim për ketë rrugë në flasim për potencialet më të mëdha që Republika e Kosovës i ka ne ketë rast edhe qytetaret e Deçanit këto të mira me i shfrytëzu për ekonomitë e tyre familjarë, për standardin e tyre të jetesës njëkohësisht kjo rrugë nga këtu e deri tek manastiri njihet si zonë e veçante që është e trajtuar edhe me ligj, ndërkohe këto procedura kanë me vazhdu duke respektuar të gjitha normat ligjore. Ne si institucion nuk e kemi cenuar integritetin, as të Manastirit të Deçanit, sepse ka qenë shqetësim edhe i ambasadave dhe institucioneve relevante ndërkombëtare dhe të Kosovës. Krejt ne çka po duamë është me jetuar më mirë dhe me pas një perspektivë zhvillimore të komunë së Deçanit", tha Ramosaj.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj tha se "për mua është një ditë e veçante sepse jam këtu që të nisim punimet të një rruge që të lidhim korridoret mes Deçanit – Kosovës - Malit të Zi dhe Shqipërisë.

“Për mua është ditë e veçantë sepse na është dhënë rasti që të fillojmë një rrugë që lidhë Deçanin dhe Kosovën me Malin e Zi, sidomos me atë pjesë ku banojnë shqiptarë. Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur jemi në shërbim të qytetarëve, të lëvizjes së lirë, të investimeve dhe zhvillimit të turizmit, sepse kjo rrugë ka ndikim pozitiv shumëdimensional. E them këtë sepse këto bjeshkë janë atraktive për zhvillimin e turizmit e sidomos edhe për transport të mallrave si lidhje me Malin e Zi. Nuk ka më mirë se kur përgatisim infrastrukturën për të zhvilluar vendin dhe me këto ndjenja jemi sot këtu që t’ia nisim kësaj rruge duke mos e atakuar askënd por unë jam i vendosur që ky projekt të zhvillohet deri në fund, andaj faleminderit Deçan, e gëzofshi këtë rrugë dhe na priftë e mbara!“.

Ndryshe për ketë vit janë ndarë 4 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 do të ndahen edhe 8 milionë, projekti në tersi do të mbyllet në vitin 2020. /InfoKomuna/