Projekti i Pendës së Dragaçinës i prezantohet Bankës Botërore

SuharekëPostuar: 12:04 / 17.01.2019

Komuna e Suharekës të mërkurën ka njoftuar se projekti i Pendës së Dragaçinës është prezantuar para përfaqësuesve të Bankës Botërore. Sipas njoftimit të Zyrës për Informim, në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Blerim Kuçi, dhe zyrtarë të tjerë.

“Projekti i Pendës së Dragaçinës, i cili është me rëndësi jetike për banorët e Komunës së Suharekës dhe i cili ka marrë mbështetjen edhe të Qeverisës së Kosovës, sot është prezantuar para përfaqësuesve të Bankës Botërore”, thuhet në njoftimin e ZI-së. Aty theksohet se kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka folur për rëndësinë që ka ky projekt në sigurimin e ujit të pijes për qytetin dhe shumë fshatra të kësaj komune, sikurse edhe zhvillimin ekonomik, shkruan sot Koha Ditore.

“Ky projekt përveçqë siguron ujin për Komunën e Suharekës, avancon ekonominë tonë, energjinë, turizmin dhe sektorin e bujqësisë. Jam i angazhuar që të bashkëpunoj me të gjithë që ky projekt të realizohet në të ardhmen”, ka thënë Muharremaj, përcjell ZI.