Dështon seanca për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja

SkënderajPostuar: 10:36 / 25.09.2017

Kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe 23 të akuzuar të tjerë për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) kanë dalë sot para gjykatës në seancën fillestare për ngjarjet e majit të vitit 2014, por seanca nuk është mbajtur për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve.

24 persona, në mesin e tyre edhe Sami Lushtaku, dhe i biri i tij, Mërgimi (tani deputet i Kuvendit të Kosovës), zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe gardianë, janë të akuzuar nga një prokuror i EULEX-it për arratisjen e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Por tre të akuzuar, Dardan Geci, Myrvete Lushtaku e Skender Tahiri munguan në seancën e sotme dhe kjo e bëri të pamundur fillimin e saj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 7 nëntor.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut, drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg. /kallxo.com/
GllogocKomente: 0 Kryetari Lladrovci përkujtoi dëshmorin, Nystret Halili 14:37 / 03.05.2024 Në 25-vjetorin e rënies së dëshmorit, Nystret Halili, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë, bënë homazhe duke vendosur buqeta me lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në...
PrishtinëKomente: 0 Kryetari Rama: Spitali i Kryeqytetit po bëhet 10:41 / 03.05.2024 Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se sot, ka zhvilluar një takim ku është diskutuar rreth detajeve finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit.