Vazhdojnë projektet në kuadër të programit “Kosova e Bukur”

NovobërdëPostuar: 21:59 / 01.06.2016

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se nesër do të bëhet Inaugurimi i projektit "Ndërtimi i shtëpisë së mysafirëve dhe rinovimi i oborrit të manastirit të Draganacit në Komunën e Novobërdës".

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se ky projekt është pjesë e punësimit përmes programit “Kosova e Bukur”, i cili po mbështet komunat në përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe sociale me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e tyre, mirëpo edhe për të krijuar vende pune afatshkurta për të papunësuarit për një kohë të gjatë në Kosovë.

“Përmes këtij projekti, infrastruktura e Manastirit në Draganac është përmirësuar përmes ndërtimit të shtëpisë së mysafirëve për vizitorët, vendparkimit dhe shtigjeve për ecje me gurë natyralë brenda oborrit, përfshirë këtu instalimin dhe riparimin e ujërave të zeza, ujit, drenimit dhe rrjetit të energjisë elektrike. Ky projekt është zbatuar gjatë periudhës gusht 2015 - maj 2016. Gjithsej 180,780 euro janë shpenzuar për këtë projekt, përfshirë kontributin e komunës me 9,208 euro”, thuhet në njoftim.

Ky projekt do të krijojë 75 vende të punës, përfshirë 66 persona të regjistruar si të papunë për një kohë të gjatë në Qendrën për Punësim. Prej atyre 66 personave të punësuar, 55 nga minoriteti serb, 4 gra dhe 27 të rinj.