Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e kryetarit të Gjilanit
Lëvizja Vetëvendosje, të martën, në një konferencë për media i ka kërkuar dorëheqjen kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri
Sipas këtij subjekti, Haziri po dëshmon paaftësi në udhëheqjen komunale, i cili sipas tyre deri tani nuk ka arritur që të përmbyllë procesin e formimit të qeverisjes komunale dhe të menaxhojë me proceset e ndryshme brenda komunës, e cila ka mbi 90 mijë banorë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Fehmi Sylejmani, ushtrues detyre i degës së VV-së në Gjilan, ka deklaruar se qytetarët e komunës nuk i pranojnë justifikimet e kryetarit të komunës që ndërlidhen me degradimet e qytetit dhe telashet ligjore, të cilat janë shpërfaqur edhe me ngritjen e aktakuzave ndaj zyrtarëve komunalë si dhe mangësi të tjera ligjore.
Ai ka thënë se kryetari i komunës nuk po arrin që të merret vesh as me subjektet e tjera politike për lidhjen e një koalicioni me qëllim udhëheqjen e komunës.